Kamerat televizive kanë fiksuar një moment pikant nga finalja e Superkupës së Europës, që u zhvillua të mërkurën në mbrëmje në Talin të Estonisë, e fituar nga Atletico Madrid. Disfata e Real Madridit në premierën e Lopeteguit si trajner ka ngritur lart figurën e Diego Simeone, i cili edhe pse i dënuar për të mos i drejtuar të tijtë nga stoli, ka rezultuar më strateg.
Momenti i ndarjes së medaljeve ka nxjerrë në pah sërish antagonizmin që ekziston mes dy skuadrave të Madridit, si në çdo derbi tjetër të madh, në fakt. Portieri belg, Courtois, që e përcolli finalen nga tribuna, ka shkuar të marrë medaljen e finalistit humbës me kokën ulur, çka e ka bërë trajnerin Simeone të (për)qeshë, duke e ndarë lumturinë e vet nga dëshpërimi i kundërshtarit me lojtarët e tij.