Home » Aktualitet » Fatima 10 muajshe e vetme me 2 vëllezërit! Zbulohen emrat e 51 fëmijëve shqiptarë brenda kampit sirian

Fatima 10 muajshe e vetme me 2 vëllezërit! Zbulohen emrat e 51 fëmijëve shqiptarë brenda kampit sirian

by Thashetheme VIP

Me shpëtimin e Alvin Berishës nga kampi Al Hawl në Siri, shumë fëmijë të tjerë shqiptarë presin të buzëqeshin. Janë 51 fëmijë dhe 19 të rritur nga Shqipëria ose nga Kosova të cilët në rrethana që ata nuk i kanë zgjedhur, ndodhen në kampin ferr, të konsideruar burgun dhe që kanë në pushtetin e tyre kurdët.

Kampi Al Hawl është si një qytet më vete me rreth 70 mijë persona, shumica gra te luftëtarëve të ISIS dhe fëmijë e tyre që kurdët me forca amerikane dhe siriane i kanë arrestuar dhe që tani qëndrojnë atje, të izoluar, pa e ditur fatin që i pret.

Shqiptarja.com disponon ekskluzivisht emrat e shqiptarëve që ndodhen brenda kampit ferr, 70 gra e fëmijë, disa prej të cilëve të lindur atje. Alvin Berisha, 11-vjeçar, i liruar para pak ditësh, kaloi tmerre brenda kampit, i rrëmbyer nga nëna e tij në vitin 2014 që e largoi nga babai dhe dy motrat në Itali duke e futur brenda kampit, ku u martua me një luftëtar, e fatkeqësisht humbi jetën. Por pa nënë e baba, të vetëm mes një kampi ku jetesa nuk i afrohet aspak normalitetit, janë edhe 13 fëmijë të tjerë shqiptarë. Si për shembull tre vëllezërit Korvafaj. Amari 13 vjeç, i lindur në Tiranë, të cilit i ka mbetur përgjegjësia të kujdeset për dy vëllezërit e tij më të vegjël: Umerin 6 vjeç dhe Haxherin 3 vjeç, të dy të lindur në Siri. Asgjë nuk dihet për fatin e babait të tyre, Erjon Korvafaj, për të cilin të pakta janë mundësitë që të ketë mbijetuar. Emri i Erjonit nuk figuron në listën e “banorëve”’ të kampit Al Hawl, dhe tre fëmijët e tij rezultojnë kështu jetim.

Pa ngrohtësinë e prindërve në kampin e largët të Sirisë janë edhe Ahmedi 6 vjeç lindur në Siri, dhe motra e tij Saxhide, vetëm 4 vjeç lindur në Irak. Babai i tyre Arbër Zani nga Tirana dyshohet të jetë vrarë, ndërsa nuk dihet se ku është nëna e tyre.

Në mesin e emrave të shqiptarëve, që Shqiptarja.com disponon, ka edhe gra shqiptare të cilat ndodhen brenda kampit pa bashkëshort, dhe pa fëmijë, siç është Rruzhdije Balliu, 57 vjeç nga Librazhdi. Ajo nuk e di se ku ndodhet bashkëshorti i saj, Ali, ndërsa nuk ka kontakt me asnjë nga familjarët.

Historia për të cilën është folur shumë në Shqipëri, është ajo e Almir Dacit, imam i vetëshpallur në fshatin Leshnicë i Pogradecit. Familja e tij prej vitesh e konsideron të vdekur pas një telefonate që bashkëshortja e tij nga Siria i bëri dy prindërve të moshuar, duke i thënë se Almiri u vra. Vetëm pak javë më parë, Report Tv ishte në fshatin Leshnicë, ku në sytë e prindërve të Dacit ende nuk ishin tharë lotët, teksa kërkonin të kishin pranë vetes nipin dhe mbesën. Shqiptarja.com në listën ekskluzive që disponon me emrat e shqiptarëve në kamp, jep lajmin e mirë, se Belkisa Daci, 11 vjeç e lindur në Pogradec, dhe vëllai i saj Abdullahu, i lindur në Siri (Rraka) janë gjallë dhe ndodhen atje me nënën e tyre, Emanuelën, 32 vjeçe.

Duke shfletuar listën e gjatë del edhe historia e tre vëllezërve Alshiqi, Abdullahu 5 vjeç, Merjemit 2 vjeç, dhe motrës së tyre akoma më të vogël, vetëm 10 muajshe, Fatimes, pa prindërit, të vetëm mes kampit ferr. Në dokument, nuk thuhet vendlindja e tyre.

Të shumtë janë edhe shqiptarët nga Kosova të larguar nga atdheu familjarisht, për t’iu bashkuar kryefamiljarit luftëtarë të ISIS. Në listën që Shqiptarja.com siguron, i vetmi kryefamiljar që rezulton  brenda kampit, është Bashkim Mulolli nga Prishtina. Teksa dhjetëra fëmijë rriten të vetëm mes vështirësive për mbijetesë qoftë edhe në ujë e ushqim, Bashkim Mulolli dhe bashkëshortja e tij Afërdita, brenda kampit kanë provuar për herë të parë ndjesinë e të qenit gjyshër. Ata u larguan nga Kosova me 4 fëmijët e tyre, Arianitën, Anesën, Enesin dhe Blerinën. Por kjo e fundit, 21 vjeç, në vitin 2017 kur ishte në zonën e luftës ka sjellë në jetë një fëmijë, Lexhjenën, e cila sot është 2 vjeçe. Në mesin e plumbave, luftës, dhe tensioneve kjo familje nga Prishtina, të paktën kanë mburojë dashurinë e njëri-tjetrit për të mbijetuar mes një situate të tillë.

Por fat tragjik kanë pasur edhe 4 gra, Qamile Tahiri, Belinda Bobaj, Filloreta Basha dhe Nazmije Demolli, të cilët janë vrarë, ndoshta gjatë bombardimeve në Siri. Nazmije Demolli rezulton që ka humbur jetën me tre fëmijët e saj, ndërsa dy fëmijë të tjerë, të mbijetuar, ndodhen të vetëm Farisi dhe Fuadi, por në dokumentin që Shqiptarja.com disponon, mungon vendi i tyre i origjinës.

Lirimi i Alvin Berishës ka qenë një histori e suksesshme falë bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë. Por tani rruga e shpëtimit është hapur dhe autoritetet në Tiranë dhe Prishtinë mund të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të ofruar një shpresë edhe për këta 70 bashkëkombës tanë të harruar nga të gjithë.

Kampi Al Hawl në të vërtetë është një burg ku familjarët e ushtarëve të ISIS të kapur rob, janë të izoluar dhe të detyruar të jetojnë në çadra.

TË DHËNA

Në total janë 70 shqiptarë që ndodhen në Siri
51 fëmijë shqiptarë
19 të rritur

E HUMBUR (Nuk dihet ku është) Fitore Rama

7 të vrarë në Siri
3 fëmijë dhe 4 gra të vrara:
Qamile Tahiri
Belinda Bobaj
Filloreta Basha
Nazmije Demolli (i janë vrarë 3 fëmijë, dy të tjerët i ka të vetëm në Siri)

Familjet shqiptare ne Siri

Familja e Almir Dacit: Gruaja, Emanuela Sinan Danic (Sharka) 32 vjeçe lindur në Elbasan me 3 fëmijët, Belkisa, 11 vjeç lindur në Pogradec dhe djali Abdullah 6 vjeç lindur në Siri, në Rraka. (Atësia Almir Daci).

Familja Stafasani me 3 anëtarë (Nëna Etleva 51 vjeç lindur në Tiranë dhe 2 vajzat  një vajzë 27 vjeçare, dhe djali 13 vjec – Atësia Mehmet Stafasani)

Familja Korvafaj – Tre vëllezër të vetëm, Amari, 13 vjeç lindur në Tiranë, Umeri 6 vjeç lindur në Siri dhe Haxheri 3 vjeç lindur në Siri . (Atësia Erjon Korvafaj)

Familja Zani 2 fëmijë të vetëm, Ahmed Arbër Zani 6 vjeç dhe Saxhide Arbër Zani 4 vjeç, motër e vëlla të lindur Siri dhe Irak. Klotilda Zani 38 vjeç, dhe 3 fëmijët e saj 2 motra dhe vëllai, 12, 9 dhe 6 vjeç, lindur në Tiranë. Adni, Jasemin dhe Selma (me baba Etion Zanin)

Familja Kaca – Nëna 47 vjeç nga Librazhdi, Lavdije Kaca dhe dy vajza, Unejsa e lindur në Tiranë, 7 vjeç dhe Esma e lindur në Siri, 4 vjeç.

Një grua e vetme Rruzhdije Hajdar Balliu, 57 vjeç, vendlindja Librazhd.

Një fëmijë i vetëm nuk i dihet atësia dhe mëmësia – Ajla 8 vjeç lindur në Tiranë (04.09.201)


Ju luten na ndiqni ne rrjetin tone ne facebook.
Klikoni me poshte per te na ndjekur : https://www.facebook.com/thashethemevip/

Artikuj të ngjashëm:

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!