Home » Politike » Bilanci i zgjedhjeve në PD

Bilanci i zgjedhjeve në PD

by Thashetheme VIP

Për më shumë se 15 ditë Kuvendet e degëve të partisë më të madhe në opozitë kanë votuar drejtuesit e rinj.

Disa prej degëve të Partisë Demokratike, në qarqet e mëdha të vendit kanë përmbyllur këtë fundjavë procesin e zgjedhjeve.

Ish-kryetari i qarkut, Elbasan, Eugen Isai është rizgjedhur në krye të degës së PD në këtë qytet. Ai fitoi me 378 vota përballë kandidatit tjetër në garë Zamir Muzhaqi, i cili mori 88 vota.

Zgjedhjet gjatë kësaj të diele janë zhvilluar edhe në Kukës, ku në krye të PD u rikonfirmua Arif Rexhmati. Ai fitoi garën ndaj kreut të sekretariatit organizativ të kësaj force politike, Fasli Gërmizi. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në cilësinë e të deleguarit për zgjedhjet në Kukës, kërkoi nga demokratët bashkim dhe akuzoi Ramën për futjen e urrejtjes krahinore në mes të shqiptarëve.

Po ashtu dhe në PD-në e Beratit, u rimandatua kryetari aktual Gazmend Azizi, i cili fitoi me 172 vota kundrejt 108 votave që mori kandidati tjetër Shkëlqim Hysi.

Në Durrës, fitues ka dalë ish-ministri demokrat, Ferdinand Xhaferaj me 222 vota kundrejt 130 votave që mori kandidati Sokol Kapidani. Prej disa muajsh, Xhaferaj qëndronte në krye të kësaj dege, si i komanduar.

Edhe deputeti i PD-së në Fier, Luan Baçi, është rizgjedhur në krye të degës në këtë qytet. Baçi ka deklaruar se do të vijojë të drejtojë degën e Fierit, pavarësisht faktit se mban mandatin e deputetit.

Një mandat të ri në krye të PD-së në Kamëz ka marrë edhe kryebashkiaku Xhelal Mziu. Ai u rizgjodh për një mandat të ri 4-vjeçar në krye të PD-së së Kamzës.

Genc Deromemaj është kryetari i ri i PD në Vlorë. Ai arriti të siguronte 12 vota më shumë  se sa kandidati tjetër, Gjergj Nika.

Në Shkodër, PD do të drejtohet nga Xhevdet Amulli, i cili mori 243 vota, vetëm 2 më shumë se sa kryetari aktual Ramiz Çobaj.

Edhe në Lezhë, kryetari aktual i PD-së Paulin Marku nuk arriti të rikonfirmohej, pasi kandidati tjetër në garë, Zef Gjoka siguroi 88 vota më shumë. Ndërsa dega e PD-së së Dibrës do të drejtohet nga Naim Gazidede.

Partia Demokratike me 15 dhjetor mbledh Kuvendin Kombëtar. Nga kjo mbledhje do të dalë Këshilli i ri kombëtar i cili do të zgjedhë kryesinë e PD-së, nënkryetarët e partisë, sekretarin e përgjithshëm, nënkryetarët dhe sekretariatin.

 


Ju luten na ndiqni ne rrjetin tone ne facebook.
Klikoni me poshte per te na ndjekur : https://www.facebook.com/thashethemevip/

Artikuj të ngjashëm:

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!