“Mikrofoni i artë”, këtë vit më shumë çmime
Posted on October 30, 2007 - Filed Under VIP Shqiperia |
Dërgoja një miku

I ftuar special do të jetë grupi rumun “Yarabi”
Edhe këtë vit mbrëmja finale e festivalit “Mikrofoni i artë” (MIA) do të jetë në sheshin “Nëna Tereza”. Organizatorët e këtij aktiviteti muzikor kanë theksuar gjithmonë faktin, që bëhet fjalë për një festival rinor, ndaj edhe sheshi shihet si më i përshtatshëm se sallat e mbyllura. E ndërsa edicionet parardhëse të MIA janë zhvilluar në ditët e fundit të muajit tetor, këtë vit mbrëmja finale vjen më 3 nëntor, ndërsa paraprakisht këngët janë transmetuar dhe votuar në radion +2.
Nga sa mësojmë deri tani këtë vit do të ndahen më shumë çmime, sepse sipas drejtuesve këngët janë më interesante dhe artistët meritojnë të vlerësohen. Janë 26 krijime, që do të ngjiten në skenë në mbrëmjen finale, të përzgjedhura nga 50 këngë të fazës gjysmëfinale. E ndërsa në emrat pjesëmarrës vihen re artistë të njohur e të afirmuar si Mira Bregu, Altin Goci, Edmond Mancaku, Joe Ardit Fejzo, shihen edhe këngëtarë të cilët e kanë prekur skenën muzikore vite më pas, por që tashmë janë të njohur për publikun, përmendim këtu Rona Nishliun, Ingrid Gjonin, Rozana Radin, Bertan Asllanin, Kastro Zizon, Evans Ramën, “Mad Lion”, Don Arbas, Pikado, por edhe më të rinj, Xhesi Jorgaqi, “Alb Magji”, grupi Burn, etj. Si në çdo edicion të këtij festivali edhe këtë vit vihet re pjesëmarrja e artistëve kosovarë, që kohët e fundit gjithmonë e më tepër vazhdojnë të jenë prezent në aktivitetet dhe festivalet muzikore që zhvillohen në vendin tonë.
Madje organizatorët e festivalit, shprehen se veçanërisht artistët kosovarë kanë këngë shumë të arrira, sidomos të rrymave hip-hop. Në mbrëmjen finale të MIA do të ketë gjithashtu edhe elementë të tjerë të spektaklit, ku spikat veçanërisht emri i grupit të njohur rumun “Yarabi”, si i ftuar special i mbrëmjes. Mikrofoni i artë, do të transmetohet në televizionin “Vizion Plus”, ndërkohë që në krah të prezantuesit Olti Curri (i cili e drejtoi këtë aktivitet edhe vitin e kaluar) do të jetë edhe një prezantuese femër, emrin e së cilës vetë Olti dëshiron ta lërë surprizë. “Është një vajzë e njohur, por që asnjëherë nuk e ka prekur skenën”, shprehet ai. Nuk dimë nëse i referohet drejtoreshës artistike të festivalit të shkuar. Të paktën kështu pëshpëritet.
Burimi: Gazeta Panorama
Lexoni Komentet
1 Koment per artikullin ““Mikrofoni i artë”, këtë vit më shumë çmime”
Komento




alena on November 18th, 2007 7:53 am
Jam fanse e +2 Radios prej Oltit dhe emisionit posta e zemres..edhe te mikrofoni me rozanen me ka pelqy..urime